Në Shqipëri policia njoftoi sot
zbulimin dhe arrestimin e 17 personave pjestare të një grupi i cili organizonte
vjedhje me anë të kartave të kreditit. Truri i grupit ishte një djalë i ri 19
vjecar, Endit Gjergjani, student në Tiranë.
Përmes një pajisjeje të sofistikuar
elektronike ai arrinte të riprodhonte karta krediti, VISA dhe Mastercard, me të
dhëna të personalizuara të blera, sipas policisë, përmes piraterisë në
internet. Kartat e kreditit ishin me të dhëna të shtetasve të huaj. Fillimisht
grupi ka përdorur tërheqjen e parave në bankomatet e Bankave kryesore
shqiptare. Janë të paktën 400 raste në qytetet kryesore të vendit.
Më pas ata
kanë nisur të kryejnë blerje të sendeve me vlerë, si argjendari, automjete
luksoze të prodhimeve të fundit, artikuj të ndryshëm, në qendra biznesi në
Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi e Kosovë. Sipas policisë dhe prokuorisë së
Tiranës, agjentët e të cilëve kanë hetuar për mëse 8 muaj, bëhet fjalë për vlera
tepër të mëdha të vjedhura përmes kartave të kreditit. Kjo ështe hera e parë që
policia dhe prokuroria shqiptare hetojnë një krim të tillë.