Pushtimi nga Rusia i Gjeorgjisë fqinje ka
rihapur debatin për planet e NATO-s për t’u shtrirë në ish republikat
sovjetike. Në prill, NATO-ja ra dakord që Gjeorgjia dhe Ukrahina duhet të bëhen
pjesë e aleancës dhe u vendos që kjo çështje të diskutohej më gjatë në dhjetor
të këtij viti. Por Moska kundërshton fuqishëm anëtarësimin e këtyre dy vendeve
në NATO, madje ofensiva ushtarake e Rusisë në Gjeorgji tregon se sa e
debatueshme është çështja e zgjerimit të NATO-s.
Për
dekada me radhë, NATO-ja shërbeu si mbrojtje e Europës nga Bashkimi Sovjetik.
Por, pas shpërbërjes së këtij të fundit rreth 20 vjet më parë, marrëdhëniet mes
Moskës dhe NATO-s u përmirësuan.
Tani, vendimi i Rusisë për të pushtuar
Gjeorgjinë, një anëtare e mundshme e NATO-s, ka turbulluar aleancën.
Zyrtarë të Aleancës thonë se marëdhëniet
mes Moskës dhe NATO-s kishin nisur të keqësoheshin që më parë.
James Appathurai është zëdhënësi i NATOs. “Takimet
tona kanë ndryshuar. Ato më parë ishin disi më të qeta. Ne kishim më shumë
mendime të përbashkëta sesa mosmarrëveshje. Tani kemi biseda relativisht të
sinqerta për çështje si zgjerimi i NATO-s, Kosova, apo ngjarjet në Gjeogji, dhe
në këto biseda aleatët e NATO-s dhe Rusia nuk i shohin gjërat njësoj”.
Zgjerimi i NATO-s ka qënë burim tensionesh
në marëdhëniet Rusi-Perëndim. Gjatë takimit të niveli tëlartë të NATO-s në prill, vendet anëtare
ranë dakord që Gjeorgjia dhe Ukrahina duhet të bëhen pjesë e Aleancës.
Rusia është kundër, qëndrim që u bë i qartë
nga Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, gjatë një konference
për shtyp, që ai mbajti në lidhje me krizën në Gjeorgji.“Ne e kemi
thënë haptazi që zgjerimi i NATO-s është gabim. Çdo valë e re zgjerimi krijon
çështje të reja sigurimi. Ka mënyra më të mira për të trajtuar çështjet e
sigurisë europiane dhe euroatlantike; më shumë bashkëpunim, që do të përfshinte
dhe jo përjashtonte Rusinë”.
Edhe
përpara ndërhyrjes ushtarake ruse në Gjeorgji në fillim të muajit, ambasadori
rus në NATO, Dmitry Rogozin, paralajmëroi se zgjerimi i aleancës, për të
përfshirë vende në kufi me Rusinë, do të ishte i papranueshëm për Moskën.“Ka marrëdhënie Nato-Ukrainë,
Nato-Gjeorgji po ka edhe marrëdhënie Nato-Rusi. Çdo gjë ka të bëjë me
balancimin e interesave. Duhet të kihet në konsideratë pikëpamja jonë dhe jo të
krijohet një makinë ushtarake pranë kufijve tanë”.
Çështja
e zgjerimit të NATO-s ka nxjerrë në dritë mosmarrëveshjet brënda NATO-s mbi
pasojat e anëtarësimit të Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Një çështje e debatueshme
është nëse NATO-ja do të jetë e gatshme të mbrojë këto vende nëse do të
ishin anëtare, dhe nëse në të ardhmen do të kishin konflikte me Rusinë.
Neni i
pestë i traktatit të NATO-s thotë se një sulm mbi një nga vendet anëtare
konsiderohet si sulm mbi gjithë aleancën. Ndërsa Shtetet e Bashkuara e kanë
mbështetur fuqishëm anëtarësimin e Gjeorgjisë dhe të Ukrainës, Franca dhe
Gjermania e kanë kundërshtuar.
Ambasadori
rus Rogozin paralajmëroi se një zgjerim i NATO-s, për të përfshirë këto vende,
do të vinte në rrezik status kuonë.“Do të ketë ftohje të vërtetë në
marrëdhëniet tona. Amerika dhe NATO-ja do të humbasin mbështetjen e rëndësishme
të Rusisë”.
Mbështetja
ruse është zgjeruar tashmë në disa operacione të NATO-s në Afganistan. Por disa
analistë thonë se misioni në Afganistan përbën një tjetër sfidë serioze për
aleancën. NATO-ja ka gati 53 mijë trupa, përfshi personel mbështetës në
Afganistan që luftojnë kundër kryengritësve talebanë.
Nick
Grono me Grupin Ndërkombëtar të Krizave, organizatë jo-qeveritare, që meret me
parandalimin e konflikteve, thotë se trupat e NATO-s nuk e siguruan me
shpejtësinë e duhur Afganistanin jugor.“Kur dërgojmë trupa paqeruajtëse me
vonesë, sigurisht që do të gjejmë një rezistencë më të efektshme dhe më
agresive”.
Zyrtarët e NATO-s në Bruksel thonë se
vendosja e qëndrueshmërisë në Afganistan si dhe zgjerimi i NATO-s në lindje
janë dy sfidat më të mëdha, me të cilat përballet aleanca. Të dyja këto sfida,
thonë ata, do të përfshinin edhe angazhimin e Rusisë.//IB