Ministrat
e Jashtëm të Natos thanë se po shqyrtojnë me seriozitet ndikimin e ndërhyrjes së
Rusisë në Gjeorgji dhe ranë dakort se kontaktet e rregullta janë të pamundura
deri sa trupat ruse të tërhiqen.
Sekretari
i Përgjithshëm i Natos Jap dë Hop Skiefer tha se ministrat ranë dakort se
aleanca nuk mund të vazhdojë bashkëpunimin normal me Rusinë derisa të largohen
trupat. Sekretari i Përgjithshëm shtoi se ministrat ranë dakort për të ngritur
një forum të ri, komisionin Nato-Gjeorgji për të shtuar lidhjet me vendin e
Kaukazit. Ai tha se ministrat riafirmuan gjithashtu mbështetjen e tyre për
integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë dhe ranë dakort të
dërgojnë ekipe ndihmash në atë vend.
Sekretarja
e shtetit Kondolisa Rajs, e cila mori pjesë në takim tha se aty u demonstrua
mbështetja për demokracinë gjeorgjisë. Ajo theksoi se nuk do të ketë vija të
reja ndarëse në Evropë dhe se si Gjeorgjia dhe Ukraina vazhdojnë të jenë
kandidate të mundshme për anëtarësim në Nato.
Aleanca
e Natos dërgoi sot një sinjal të fuqishëm në mbështetje të Gjeorgjisë, dhe
Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje aleatëve të forcojnë lidhjet ushtarake me
ish republikat sovjetike në kufi me Rusinë.
Sekretarja
amerikane e Shtetit, Kondolisa Rajs, mbështeti formimin e një komisioni të
përhershëm Nato-Gjeorgji për të forcuar lidhjet mes aleancës perendimore dhe
Gjeorgjisë.
Diplomatët thanë se Uashingtoni mbështet gjithashtu shtimin e
stërvitjes ushtarake për trupat gjeorgjiane.
Zonja Rice u takua me ministrin e jashtëm finlandez Aleksander Stub,
aktualisht kryetari i radhës së OSBE-së.
OSBE-ja tha se Rusia ka rënë dakort të lejojë edhe 20 monitorues të
tjerë ushtarakë ndërkombëtarë si brenda edhe rreth rajonit të Osetisë Jugore.
Ky plan parashikon që monitoruesit të dërgohen menjëherë në kryeqytetin
gjeogjian Tbilisi. Plani pret miratimin e palës gjeorgjiane.
OSBE
momentalisht ka nëntë monitorues të vendosur në Osetinë Jugore si pjesë e
misionit të saj prej 200 vetësh në Gjeorgji.
Duke folur pas takimit, sekretari i jashtëm britanik David Miliband tha
se kishte një mirëkuptim në takimin e sotëm të Natos se Rusia ka dështuar të
plotësojë angazhimet e saj dhe se kjo do të ketë pasoja serioze për besimin që
i është dhënë Rusisë si partnere ndërkombëtare.
“Rusia kërkon të respektohet si partnere
ndërkombëtare dhe këtë mund ta arrijë vetëm duke marrë përgjegjësitë. Ky do të
jetë motori politik që do të sigurojë që Rusia të përbushë detyrimet e saj për
të tërhequr trupat dhe të mos bëjë kërcënime të mëtejshme ndaj vendeve të tjera
fqinje”.
Sekretari i jashtëm britanik theksoi
megjithatë se izolimi i Rusisë nuk është rruga e duhur duke rekomanduar nevojën
e një angazhimi më të fuqishëm. (ze)