Zyrtarë në Pentagon nuk kanë parë shenja se trupat
ruse po kryejnë ndonjë tërheqje të dukëshme nga Gjerogjia, siç premtuan
udhëheqësit e Rusisë kur nënshkruan një marrëveshje për armëpushim ditën e
shtunë. Shtëpia e Bardhë thotë se për tërheqjen e trupave Rusisë nuk nevojitet
më shumë kohë sesa iu desh për dërgimin e tyre në Gjeorgji.
Zëdhënësi i Pentragonit
Brajan Uaitman thotë se ekspertë të Departamentit të Mbrojtjes nuk shohin shumë
ndryshim në dislokimin e forcave ruse në Gjeorgji.
“Forcat
ruse që nuk ndodheshin atje para 6 gushtit, që ishin pjesë e misionit
paqeruajtës, duhet të tërhiqen në bazë të marrëveshjes së armëpushimit. Deri
tani ne nuk kemi parë ndonjë lëvizje të dukëshme.”
Zëdhënësi
Waitman thotë se ministrat e Jashtëm të mbledhur në Bruksel e bënë të qartë se
vendet evropiane do të rivlerësojnë lidhjet e tyre me Rusinë si rezultat i
ndërhyrjes ushtrake në Gjeorgji. Zyrtarë amerikanë kanë thënë se pasojat që
Rusia do të ndeshë do të varen pjesërisht nëse Moska zbaton marrëveshjen e
armëpushimit për tërheqjen e trupave.
Zëdhënësi
i Shtëpisë së Bardhë, Gordon Xhondro thotë se për këtë tërheqje nuk duhen disa
ditë.
“Për të
hyrë në Gjeorgji, trupave ruse nuk iu deshën 3, 4 ditë. Prandaj atyre nuk do
t’u duhej 3 ose 4 ditë për t’u tërhequr prej andej. Unë pres prej tyre që të
fillojnë menjëherë tërheqjen, ashtu siç kanë premtuar. Ne duam që ata ta
respektojnë këtë premtim.”
Zëdhënësi
i Shtëpisë së Bardhë thotë se forcat ruse të dërguara në Gjeorgji pas 6 gushtit
duhet të largohen prej andej dhe pastaj do të duhet të zhvillohen bisedime mbi
statusin afatgjatë të trupave ruse, që janë dislokuar si paqeruajtës në krahinën
separatiste të Osetisë Jugore prej 4 vjetësh.
Ndërkohë,
përpjekjet e ndihmave amerikane vazhdojnë. Zëdhënësi i Pentagonit, Uaitman
thotë se ndërmjetësit amerikanë po bashkëpunojnë me zyrtarët turq për të
siguruar lejen për dërgimin e anijeve të tjera amerikane në Detin e Zi për të
shpërndarë ndihma për Gjeorgjinë. Turqia kontrollon hyrjen e anijeve luftarake në këtë det në bazë të
një traktati të vitit 1936.
Sipas zëdhënësit të
Pentagonit, deri tani sasia e ndihmave amerikane nga ajri për Gjerogjinë ka arritur
në 200 tonë. Ndër këto ndihma përfshihen materiale si çadra, shtretër, ushqime
dhe furnizime mjekësore. (ze)