Eksperti më i lartë i
Departamentit amerikan të Shtetit për rajonin e Kaukazit, thotë se ndërhyrja e
Moskës në Gjeorgji e ka dëmtuar pozitën e saj në arenën ndërkombëtare. Zëvendës
Ndihmës Sekretari i Shtetit për Marrëdhëniet me Evropën Methju Briza u tha
gazetarëve në Uashington gjithashtu se Shtetet e Bashkuara e kanë këshilluar
vazhdimisht qeverinë e Tbilisit që t'i shmanget konfrontimit me Rusinë.
Administrata e presidentit Bush ka hedhur përsëri poshtë idenë se Gjeorgjia
mund të ketë marrë dritën e gjelbër nga Shtetet e Bashkuara për operacionin e
saj ushtarak në Osetinë Jugore, madje një zyrtar i lartë i Departamentit të
Shtetit tha se këshilla e Amerikës për Tbilisin ka qenë gjithnjë që të shmangë
konfliktin me Moskën me çdo kusht.
Komentet e Zëvendës
Ndihmës Sekretarit Briza, një nga përfaqësuesit kryesorë të Shteteve të
Bashkuara në zonën e Kaukazit, ishin nga më të qartat mbi këtë temë që nga
fillimi i konfliktit në Osetinë Jugore këtë muaj.
Gjeorgjia dërgoi trupa
në rajonin separatist në përgjigje të, siç tha ajo, granatimeve dhe provokimeve
nga zona e debatueshme, duke shkaktuar si pasojë ndërhyrjen e Moskës në
mbështetje të pranisë së saj paqeruajtëse atje.
Duke folur në Qendrën e
Shtypit të Huaj në Uashington, zoti Briza tha se këshilla e Shteteve të Bashkuara
ndaj Gjeorgjisë ka qenë gjithmonë që të përpiqet të shmangë konfrontimet me
forcat ruse të cilat janë shumë më superiore. Ai tha se mesazhi ka qenë i
njëjtë edhe kur Moska filloi të dërgonte trupa shtesë në Osetinë Jugore
pavarësisht nga armëpushimi formal.
"Në atë kohë, udhëheqja
gjeorgjiane na tha ne, se nuk kishin zgjidhje tjetër por të mbronin fshatrat
dhe popullin e tyre dhe të mos respektonin armëpushimin. Mesazhi ynë ka mbetur
i njëjtë, se ne e kuptonim gjendjen e tyre. Por se ne rekomandonim që të mos
angazhoheshin në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, meqenëse nuk do të
mund të fitonin."
Zoti Briza nuk pranoi të spekullonte nëse pakënaqësia ndërkombëtare me
ndërhyrjen ruse mund të çonte në përjashtimin e Moskës nga Grupi i Tetë fuqive
të mëdha, apo të rrezikonte kërkesën e saj për anëtarësim në Organizatën
Botërore të Tregëtisë.
Megjithatë, ai tha se
nuk ka dyshim që përdorimi i forcës nga ana e Rusisë kundër fqinjit të saj të
vogël e ka dëmtuar pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.
"Ne nuk po përpiqemi të
bëjmë kërcënime boshe, apo të tundim gishtin, por thjesht po themi faktin se ky
operacion ushtarak i ka kushtuar Rusisë për sa i përket pozitës së saj në botë.
Kjo nuk është gjë e mirë. Nuk është diçka për të cilën ne gëzohemi. Nuk është
diçka që na pëlqen të ndodhë."
Zoti Briza tha se figura të rëndësishme në administratën e presidentit Bush
kanë harxhuar vite duke u përpjekur të ndërtojnë një marrëdhënie në të mirën e
përbashkët dhe partneritet strategjik me Moskën, por tani me ngjarjet në
Gjeorgji, tha ai, ne jemi larg asaj pike. //bsa//