Ndërkohë që demokratët e kanë nisur tashmë kandidatin e tyre, Barak Obama,
për në Shtëpinë e Bardhë, republikanët dhe kandidati i tyre, Xhon Mekein, po
përgatiten për kuvendin e partisë, që fillon të hënën në Mineapolis-St. Pol të
Minesotës. Demokratët e bënë Senatorin
Obama epiqendrën e kuvendit të tyre këtë janë në Denver, dhe nuk është aspak e
papritur që republikanët të bëjnë të njejtën gjë në kuvendin e partisë së tyre
javën e ardhëshme.
Pasi të përfundojnë të
gjitha fjalimet në kuvende dhe sulmet politike, pasi të lëshohen tollombacet
dhe të dëgjohen të ftuarit e famshëm, zgjedhjet presidenciale do të
konvergjojnë në një zgjedhje të thjeshtë, kush do të jetë presdienti i Shteteve
të Bashkuara, Demokrati Barak Obama, apo republikani, Xhon Mekein.
Analisti
politik Stjuart Rothenberg, ka ndjekur kuvendin e demokratëve në Denver këtë
javë dhe i hedh një vështrim fushatës zgjedhore mes kandidatëve të të dy
partive që fillon pas kuvendit të Partisë Republikane.
 |
| Stuart Rothenberg |
"Për mendimin tim zgjedhjet do të
vazhdojnë rreth Barak Obama. Dëshira
për ndryshime në vend është e fuqishme, dhe në qoftë se Senatori Obama mund t'i
bindë amerikanët, shumicën e amerikanëve, se ai do të jetë një udhëheqës i
mënçuar, sensibël dhe i besueshëm, ata do të japin atij shansin për të
udhëhequr. Deri tani nuk duket se ai ia
ka arritur këtij qëllimi".
Edhe në Denver, republikanët bënë çfarë mundën për
të hedhur dyshime mbi përvojën politike të Senatorit Obama, mbi aftësinë e tij
për të udhëhequr vendin dhe mbi përgatitjen e tij për të qënë komandant i
përgjithëshëm.
Ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudi
Xhuliani, humbi në zgjedhjet paraprake ndaj Xhon Mekeinit, por tani ai e
mbështet atë fuqimisht dhe kritikon Obamën vazhdimisht.
"Mendoj se Senatori Mekein do të na
mbajë në vijën e parë të frontit kundër terrorizmit dhe kështu do të na mbrojë,
ndërsa Senatori Obama do të na vërë në pozita mbrojtëse dhe kjo nuk do të jetë
një strategji e mirë për sigurimin e vendit.
Senatorit Obama i mungojnë njohuritë në politikën e jashtme dhe ky është
një shqetësim serioz".
Demokratët
e kanë shumë të qartë se Obama nuk ka përvojë në politikën e jashtme dhe
në çështjet e sigurimit kombëtar. Ish presidenti Bill Klinton u kujtoi demokratëve
se sulmet e republikanëve kundër
Senatorit Obama kanë një tingëllim të njohur për ta.
 |
| Ish presidenti Bill Klinton në Kuvendin e Partisë Demokrate në Denver, 27 gusht 2008 |
"Ne fituan ndaj një fushate të ashpër
gjatë të cilës republikanët thanë se unë isha shumë i ri dhe pa përvojë për të
qënë komandant i përgjithëshëm. E
njejta gjë dëgjohet edhe sot. Por ajo
nuk tha rezultat në vitin 1992 sepse ne ishim në një rrugë të drejtë historike,
ajo nuk do të japë rezultat në 2008, sepse Barak Obama po ndjek rrugën e drejtë
në histori".
Analisti politik, Stjuart Rothenberg parashikon
një javë sulmesh kundër Obamës gjatë kuvendit të Partisë Republikane në Mineapolis-St. Pol.
"Por njerëzit e Mekeinit kanë qënë
shumë agresivë për ta ndryshuar këtë, duke i vënë theksin mungesës së përvojës
së Senatorit Obama. Mendoj se ata do të
vazhdojnë më agresivitetin e tyre.
Fakti është se gara është e ngushtë dhe Xhon Mekeini mund të fitojë, por
Barak Obama ka një farë avantazhi.
Prandaj, Mekeinit i duhet të vazhdojë sulmet ndaj Obamës".
Shumica e ekspertëve janë të mendimit se ekonomia
do të jetë çështja kryesore në fushatën zgjedhore të këtij viti dhe për
momentin ata e shikojnë Obamën dhe demokratët në avantazh.
Anketat e kohëve të fundit
tregojnë se Senatori Obama dhe Senatori Mkein janë në një garë të ngushtë për
Shtëpinë e Bardhë, tani që kanë mbetur vetëm 10 javë nga zgjedhjet e
përgjithshme më 4 nëntor. //iç//