Ish
udhëheqësi i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç doli para gjykatës së Hagës
dhe përsëri kundërshtoi që të shprehej në se i pranonte akuzat për gjenocid dhe
krime lufte.
Karaxhiçi
përballet me 11 akuza që lidhen me rolin e tij në sulmet kundër civilëve gjatë
konfliktit boshnjak. Aty përfshihet masakra e tetë mijë burrave dhe djemëve
myslimanë në Srebrenicë.
Ish
udhëheqësi i serbëve të Bosnjes kundërshtoi të shprehej për akuzat edhe gjatë
daljes para gjykatës në korrik, kur hoqi dorë nga e drejta për një avokat dhe
vendosi të mbrohet vetë.
Policia serbe e arrestoi
Karaxhiçin në Beograd në korrik pas 12 vjetë kërkimesh.
Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë u krijua nga Këshilli i
Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 për të sjellë para drejtësisë
personat e akuzuar për krimet e kryera gjatë konfliktit në Bosnjë gjatë
fillimit të viteve '90. Kjo ishte gjykata e parë për krime lufte që kur
udhëheqësit nazistë u ndoqën penalisht në gjykimet e Nyrembergut.
Profesori i së drejtës
në Universitetin e Harvardit Aleks Uaiting, ish prokuror në Gjykatën e Hagës,
thotë se gjatë mesit të viteve '90 u krijuan disa kushte të cilat e bënë të
mundur themelimin e gjykatës.
"Së pari, krimet e
luftës në ish-Jugosllavi u zhvilluan në oborrin e Evropës dhe kjo pati ndikim si
tek vendet evropiane ashtu edhe tek Shtetet e Bashkuara. E dyta ishte se
fotografitë nga lufta të kujtonin fotografitë e kampeve të internimit gjatë
Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, gjatë verës së vitit 1992 dolën shumë
fotografi të tilla që u kujtuan njerëzve krimet e Luftës së Dytë Botërore dhe
gjyqet e Nyrembergut".
Pol Uilliams, ish këshilltar ligjor i qeverisë boshnjake, thotë se gjykata
është krijuar në mënyrë të atillë që të përfaqësojë me besnikëri komunitetin
ndërkombëtar.
"Aty ka pasur gjykatës
nga Uganda, Kenia, Britania, Hollanda dhe shumë vende të tjera. Prokurorët janë
nga e gjithë bota. Ka pasur nga Afrika e Jugut, Kanadaja, Zvicra etj. Pra
gjykata ka përfaqësuar me të vërtetë thuajse të gjithë vendet anëtare të OKB-së".
Një komision prej tre gjykatësish shqyrton secilin rast dhe vendimi arrihet
me shumicë votash. Nëse vendimi apelohet, çështja shqyrtohet nga një komision
tjetër prej tre gjykatësish. Dhe meqenëse kjo është gjykatë e OKB-së, aty nuk
ekziston dënimi me vdekje. Dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm.
Që nga krijimi, gjykata
ka ngritur akuza kundër 160 personave. Ka dënuar më shumë se 50 veta dhe ka
liruar nga akuzat 10 të tjerë. Më shumë se 30 vetë vazhdojnë të mbahen në
burgun e Hagës.
Çështja më e rëndësishme
deri tani ishte ajo e ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç, i cili
akuzohej për gjenocid. Millosheviçi vdiq në burg në vitin 2006, vetëm pak muaj
para se të jepej vendimi.
Ekspertët si Aleks
Uaiting thonë se vdekja e Millosheviçit ishte shumë e papritur për gjykatën.
"Nuk ka dyshim
se vdekja e Millosheviçit para se të jepej vendimi ishte goditje e rëndë
meqenëse ky ishte rasti më i rëndësishëm i gjykatës. Ai ishte personi më i
rëndësishëm kundër të cilit ishin ngritur akuzat dhe ishte fytyra e luftës. Për
gjykatën, do të kishte qenë arritje e madhe nëse do ta kishte përfunduar
çështjen".
Tani gjykata po përgatitet të gjykojë Radovan Karaxhiçin, ish udhëheqësin
politik serb të Bosnjës.
Pas arrestimit të tij
muajin e kaluar në Beograd dhe ekstradimin e tij në Hagë, kryeprokurori i
gjykatës Serzh Bramerc u tha gazetarëve se Karaxhiçi akuzohet për krime kundër
njerëzimit dhe gjenocid.
"Ai akuzohet për
spastrim etnik të popullatës jo-serbe në Bosnjë Hercegovinë. Akuzohet për
fushata bombardimesh dhe me snaiperë për të terrorizuar popullsinë civile në
Sarajevë. Akuzohet për gjenocid në Srebrenicë ku u vranë rreth 8000 burra dhe
djem".
Pol Uilliams i Universitetit Amerikan thotë se të provosh kryerjen e krimeve
kundër njerëzimit nuk është e vështirë.
"Ka një numër krimesh si
tortura, vrasje, përdhunime, shkatërrim pronash, të cilat nëse janë të
përhapura, kryhen në mënyrë sistematike përbëjnë krime kundër njerëzimit. Aty
nuk ka nevojë të provosh se janë bërë me dashje. Thjesht duhet të provosh që
aktet kanë ndodhur, kanë qenë sistematike dhe të përhapura dhe se këta individë
janë përgjegjës për to".
Radovan Karaxhiçi ka vendosur të mos marrë avokat dhe të përfaqësojë veten. Ekspertët si Marko Hoare
nga Instituti i Bosnjës në Londër thotë se kjo ishte taktikë e përdorur nga
Millosheviçi.
"Strategjia që kanë
përdorur disa nga serbët e akuzuar për krime lufte ka qenë të mos e marrin
seriozisht gjyqin në sensin ligjor, por ta kthejnë atë në një lloj cirku
propagandistik, ta përdorin sallën e gjyqit për të bërë propagandë".
Shumë ekspertë thonë se gjykimi i Radovan Karaxhiçit
do të jetë shumë i rëndësishëm për kredibilitetin e gjykatës. Ata thonë se
procedurat duhet të jenë të drejta dhe objektive dhe gjykata nuk duhet ta
lejojë Karaxhiçin të tallet me gjyqin, gjë që Millosheviçi arriti ta bënte me
shumë efikasitet. //iç//