Nën presidenti amerikan Dick Cheney shkon
javën tjetër në Gjeorgji dhe në dy ish republika të tjera sovjetike. Shtëpia e
Bardhë e quan këtë vizitë si një gjest të vendosmërisë së Washingtonit për të
mbështetur aleatët e tij. Vizita e
nënpresidentit bëhet pas sulmit ushtarak rus ndaj Gjeorgjisë dhe problemeve të
reja që kanë dalë pas tij në maredhëniet me Moskën.
Pushtimi ushtarak rus i rajoneve separatiste të
Gjeorgjisë vazhdon të ketë pasoja gjeopolitike. Edhe pse Rusia ka tërhequr
shumicën e trupave, sulmi ushtarak ka ngritur shqetësime në shumë qarqe
botërore. Në një forum të organizuar para pak ditësh nga fondacioni Heritage,
eksperti për Rusinë Ariel Cohen, i përshkroi kështu pasojat e këtij sulmi.
" Jemi në fazat e para të
një rikonfigurimi të madh në mardhëniet ndërkombëtare ku lufta në Kaukaz është
vetëm tërmeti i parë në lëvizjet e mëdha tektonike në Euroazinë perëndimore."
Sulmi i
Rusisë duket se nuk kishte objektiv vetëm marrjen e rajoneve separatiste por
edhe destabilizimin e presidentit gjeorgjian Mikail Sakashvili dhe qeverisë së
tij properëndimore. Kjo ka ngritur shumë shqetësime në vende të tjera të
Evropës Lindore sidomos në Ukrainë. Në një artikull të botuar në gazetën
Washington Post, Presidenti properëndimor i këtij vendi, Viktor Jushçenko e
quajti Ukrainën, peng të luftës së udhëhequr nga Rusia. Analistë si Stephen
Blank i Kolegjit amerikan ushtarak të luftës i japin një pamje edhe më të errët
të këtij konflikti.
"Objektivi i dytë do të jetë
Ukraina dhe pastaj Azerbajxhani. Azerbajxhani do të vihet nën presion të madh
për të shkëputur lidhjet me perëndimin dhe të vendosë lidhje më të forta për burime
të energjisë me Rusinë. Por Ukraina është
më e rrezikuar në disa aspekte."
Ukraina e cila para disa ditësh
festoi ditën e pavarësisë, ka një pakicë të madhe rusfolëse. Shumë rusë jetojnë
në gadishullin strategjik të Krimesë gjë që ka ngritur shqetësime tek
ukrainasit se Rusia do të mundohet të gjejë një mënyrë për ta marrë atë në
mënyrë që të sigurojë dalje në Detin e Zi për flotën e vet detare.
Anxhela
Stent drejton qendrën për studime Euroaziatike, Ruse dhe Evropiane në
universitetin Georgetown.
"A do ta injorojnë rusët
tani marrëveshjen e vitit 1997 me Ukrainën e cila respektonte kuftijt e njëri
tjetrit dhe rregullonte flotën detare në Detin e Zi, dhe të thonë se kjo
marrëveshje duhet të rishikohet. Kjo sipas Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të
Evropës Perendimore është shumë shqetësuese."
Vendimi i Rusisë për të njohur rajonet
separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkazisë acaroi edhe më tej marëdhëniet me
perëndimin. Presidenti Bush, i cili dikur thoshte se ka marëdhënie shoqërore me
Vladimir Putinin ka deklaruar se Osetia Jugore dhe Abkazia janë pjesë e
Gjeorgjisë. Disa ekspertët janë të shqetësuar se sulmi rus ndaj Gjeorgjisë do
të çojë drejt një periudhe konflikti ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Kjo sipas profesores Stent nuk e shqetëson shumë Rusinë sepse ajo ka objektiva
tjera.
" Mendoj se
strategjia ruse tani është që të paraqesë Rusinë si një superfuqi alternative
ndaj Shteteve të Bashkuara. Dhe t'u thonë vendeve të botës se " ne besojmë në
demokraci sovrane, dhe nuk do t'ju tregojmë ju se çfarë qeverisjeje duhet të
keni në vendet tuaja." Një gjë të tillë po e shohim të ndodhë tani."
Një Rusi e ringjallur e cila kundërshton hapur Shtetet e Bashkuara. Ky
është një skenar me të cilin do të ketë të bëjë cilido që do zgjidhet president
i Shteteve të Bashkuara. //ii