Stuhia
tropikale Gustav po largohet nga ishulli i Xhamajkës drejt ishujve Kejmen.
Parashikuesit e motit thonë se stuhia do të arrijë fuqi uragani sot dhe nesër
dhe mund të shkaktojë deri në gjysëm metri reshje shiu në disa zona të
Xhamajkës dhe ishujve Kejmen. Ndërkaq banorët e Nju Orlinsit shpresojnë se nuk
do të përjetojnë edhe një herë tragjedinë më të madhe në historinë e qytetit të
tyre. Banorët po e presin me ankth mbërritjen e stuhisë tropikale Gustav që
përkon me tre vjetorin e uraganit
Katrina.
Dje stuhia
tropikale Gustav goditi ishullin e Xhamajkës dhe pritet të rimarrë fuqinë e një
uragani dhe të shoqërohet me shira të rrëmbyer. Pritet që uragani të prekë
bregdetin amerikan në fillim të javës tjetër.
Disa banorë të Nju Orlinsit thonë se janë gati të
largohen nëse stuhija Gustav do të prekë qytetin e tyre.
Uragani Katrina goditi Nju Orlinsin tre vjet më parë
dhe shkaktoi vdekjen e qindra njerëzve dhe rreth 100 milardë dollarë dëme.
Disa banorë që janë ende duke rindërtuar shëpitë e
tyre nga shkatërrimet e uraganit Katrina thonë se kësaj here janë gati të
largohen me më shumë shpejtësi nëse do të jetë e nevojshme.
Në vitin 2005, kur mijëra të mbijetuar nga Katrina u
dyndën në Stadiumin e Luizianës dhe sallën e kongreseve të Nju Orlinsit atje
nuk kishte ujë dhe ushqime të mjaftueshme. Autoritetet thonë se këto dy
ndërtesa nuk do të përdoren kësaj here.
Zyrtarët janë ende duke hartuar plane të evakuimit
nëse stuhia Gustav do të prekë qytetin.
Ndërkaq, frika nga shkatërrimi i platformave dhe
pajisjeve të naftës në gjirin e Meksikës që tani ka filluar të ketë ndikim mbi
çmimet. Çmimet e naftës së papërpunuar u rritën dje deri me 120 dollarë për
fuçi për t’u ulur më vonë në 115 dollarë.
Kompania e karburanteve Shell tërhoqi dy ditë më
parë 300 punëtorë nga platfomrat, por sqaroi se kjo nuk do të prekte çmimet apo
prodhimin.
Stuhia Gustav goditi pjesë të Haitit dhe Republikës Domenikane në fillim
të javës duke shkaktuar vdekjen e të paktën 23 njerëzve. //ii