Zyrtarët rusë kritikuan ashpër NATO-n dhe
institucione të tjera perëndimore për qëndrimet e tyre ndaj krizës gjeorgjiane.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme e akuzoi sot
aleancën se gjatë viteve të fundit kishte shpërfillur "vazhdimisht dhe hapur"
si Kombet e Bashkuara, ashtu edhe ligjin ndërkombëtar. Ai tha se NATO-ja nuk ka
të drejtë morale që të kritikojë politikat ruse.
Të mërkurën aleanca kritikoi vendimin e Rusisë
për njohjen e pavarësisë së rajoneve
separatiste gjeorgjiane të Abkazisë dhe Osetisë Jugore dhe i kërkoi
Moskës që të tërhiqet nga ky vendim.
Diplomatët rusë kanë akuzuar gjithashtu grupin e
shtatë vendeve të industrializuara se janë të njëanshme kur dënojnë vendimin e
Moskës. Rusët e akuzojnë grupin e shtatëshes se i ka justifikuar "veprimet prej
agresori të Gjeorgjisë". Ministrat e shtatëshes thanë se vendimi rus vë në
pikëpyetje "angazhmin e Moskës ndaj paqes dhe sigurisë në Kuakaz".
Sot në Tbilisi, zëvendës ministri i jashtëm gjeorgjian Grigol Vashadze u
tha gazetarëve se vendi i tij do të ndërpresë lidhjet diplomatike me Moskën. //ii