Senatori republican Xhon Mekein ka zgjedhur guvernatoren e Alaskës, Sara
Pejlin si kandidate për postin e zëvendëspresidentit në zgjedhjet e nëntorit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brajan
Uagner, na informon se zgjedhja e zonjës Pejlin forcon mesazhin e Senatorit
Mekein për reforma.
Senatori Mekein zgjodhi
Guvernatoren Sara Pajlin si partneren e tij në garën për në Shtëpinë e Bardhë,
vetëm disa orë pas përfundimit të Kuvendit kombëtar të Partisë Demokrate në
Denver të Kolorados. Senatori Mekein e
shpalli zgjedhjen e tij gjatë një mitingu në Ohajo dhe menjëherë largoi
vemendjen nga Kuvendi i demokratëve dhe
fjalimi i Senatorit Barak Obama të enjten në mbërmje, duke e përqendruar atë në
Kuvendin e Partisë Republikane, që hapet javën e ardhëshme.
Senatori Mekein tha se e zgjodhi Guvernatoren e
Alaskës pas një shqyrtimi të vemendshëm dhe të gjatë për të gjetur dikë që do
të sillte ndryshime në Uashington dhe do ta ndihmonte për ta rikthyer vendin në
rrugën e begatisë dhe paqes.
"Unë kam gjetur partnerin e
përshtatshëm për të më ndihmuar që t'u kundërvihem atyre që vlerësojnë më shumë
privilegjet e tyre se sa përgjegjësitë, atyre që vënë pushtetin para parimeve
dhe që vënë interesat e tyre para nevojave tuaja".
Senatori Mekein vuri në dukje se Guvernatorja
Pejlin është relativisht e re në politikë dhe nuk ka shërbyer kurrë në
Uashington. Ai e vlerëzoi zonjën Pejlin
për punën që ka bërë në Alaskë, ku ka shërbyer si kryetare bashkie dhe
komisionere e shtetit, dhe më pas u zgjodh guvernantore në vitin 2006.
Guvernatorja Pejlin tha se ishte krenare të
pranonte ftesën që i bëri Senatori Mekein për të qënë partnerja e tij në
zgjedhjet e përgjithëshme të nëntorit.
Ajo tha se rezultatet e saj në Alaskë tregojnë se ajo është e angazhuar
për reforma, si ulja e taksave dhe lufta kundër korrupsionit.
"Politika nuk është një lojë
interesash konkurruese dhe përplasjesh partish. Populli amerikan pret nga ne që të kërkojmë për poste publike dhe
të shërbejmë për qëllime pozitive".
Zonja Pejlin është gruaja e parë dhe personi më i
ri që është zgjedhur në postin e guvernatorit të Alaskës, një shtet i madh dhe
i largët, i pasur me naftë dhe gaz. Si
guvernatore, 44-vjeçarja Pejlin tha se ka shfrytëzuar fitimet e nxjerra nga
çmimet e larta të naftës për të financuar projekte të reja energjetike në
Alaskë.
"Ne po fillojmë tani një projekt 40
miliardë dollarësh për gazin natyror që do të ndihmonte për ta çuar Amerikën
drejt pavarësisë ekonomike".
Senatori Mekein e ka përqendruar fushatën e tij në
gjetjen e zgjedhjeve të reja për sigurimin e energjisë si dhe për mbështetjen e
fushishme ushtarake të luftës në Irak.
Zonja Pejlin tha se djali i saj është regjistruar në ushtri dhe do të
vendoset sëshpejti në rajon.
"Më 11 shtator, Traku do të vendoset
në Irak për t'i shërbyer vendit të tij.
Tadi dhe unë jemi shumë krenarë për të
dhe për gjithë burrat dhe gratë e mrekullueshëm që janë në shërbim të
vendit".
Guvernatorja Pejlin shkoi dje nga Alaska në Ohajo
sëbashku me të shoqin, Tadin, dhe katër nga pesë fëmijët e tyre.
Ndërkaq, një zëdhënës i Senatorit Barak Obama, kanidatit demokrat për
president, kritikoi Senatorin Mekein
për zgjedhjen si partnere të një kryetareje bashkike të një qyteti të
vogël pa përvojë në politikën e jashtëme.
Por vetë Senatori Obama i telefonoi më vonë zonjës Pejlin për ta uruar
dhe u tha gazetarëve se ajo është një zgjedhje e admirueshme.
Disa analistë politikë thonë se zonja Pejlin, e
cila është kundër abortit dhe kundër martesës së homoseksualëve, dhe që
mbështet të drejtën për të mbajtur armë, mund ta ndihmojë Senatorin Mekein të fitojë votat e evangjelistëve të
krishterë dhe të konservatorëve socialë.
Ajo mund ta ndihmojë gjithashtu zotin Mekein të tërheqë votat e grave,
që sipas anketave, favorizojnë Senatorin Obama.
Por vëzhgues të tjerë thonë se zgjedhja e një
politikaneje relativisht të panjohut në skenën kombëtare është e
rrezikëshme. Megjithëse Guvernatorja
Pejlin është e mirënjohur në shtetin e saj për goditjen e korrupsionit në
industrinë e naftës, ajo mbështet shtimin e çpimeve për naftë dhe gaz, dhe i
shoqi i saj punon për gjigandin energjetik BP.//iç//