Agjencia
e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët thotë se është tejet e shqetësuar për
ndikimin e konfliktit në Gjeorgji tek fëmijët dhe gratë që banojnë në Osetinë
Jugore. UNICEF-i ka ritheksuar thirrjen për qasje në këtë rajon.
Një
zyrtare e UNICEF-it, e cila sapo është kthyer nga një mision në Gjeorgji dhe
Rusi, thotë se ua ka parashtruar zyrtarëve rusë shqetësimet për mungesë qasjeje
në Osetinë Jugore.
Maria Kalivis është Drejtoresha
Rajonale e UNICEF-it për Evropën Lindore dhe Shtetet e Pavarura, që dikur
përfshiheshin në ish-Bashkimin Sovjetik. Ajo thotë se ka theksuar para
zyrtarëve se agjencia e saj është e gatshme të dërgojë ndihma jetike në Osetinë
Jugore sapo të ketë mundësi të futet në rajon.
Zonja Kalivis thotë se ka marrë
informata shqetësuese nga agjenci private ndihmash lidhur me gjendjen e
familjeve që ndodhen në rajon:
"Disa prej tyre po u mbarojnë
artikujt bazë. Siç jemi njoftuar, shoqata EMERCON po dërgon ndihma të
rëndësishme për rindërtim, por këto ndihma nuk kanë arritur në të gjitha skajet
e rajonit. Kjo shoqatë jo-qeveritare ka shprehur shqetësim për lëndët plasëse
aktive që ndodhen në zonë dhe e ka ngritur këtë çështje edhe pranë autoriteteve
lokale."
Zyrtarja
e UNICEF-it thotë se kjo agjenci e OKB-së është gati të fillojë një fushatë
informimi mbi rrezikun e minave sapo të ketë mundësi të futet në Osetinë Jugore.
Ajo shton se kanë filluar diskutime të
nivelit të lartë dhe shpreson se së shpejti autoritetet do të lejojnë
punonjësit e OKB-së të futen në rajon. Sipas zonjës Kalivis, ekspertiza e
OKB-së do të jetë shumë e vlefshme për popullatën lokale:
"Kemi identifikuar nevojat e
popullatës për ndihmë psiko-sociale. Po ashtu nevojitet informim mbi rrezikun
nga minat. Ata kanë nevojë edhe për mjete higjeno-sanitare. Mendoj gjithashtu
se një tjetër objektiv i rëndësishëm është të përgatisim fëmijët për shkollë.
Siç e dimë, fillimi i shkollës krijon një farë ndjenje normaliteti për familjet
dhe fëmijët."
Zonja Kalivis thotë se po bëhet një punë e madhe për të ndihmuar mijëra vetë të
zhvendosur nga lufta ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë. Megjithatë, shton ajo,
mbetet shumë për të bërë.
Zyrtarja e UNICEF-it thekson se niveli
i stresit ndër të zhvendosurit po rritet. Këta persona, shton ajo, ballafaqohen
me një të ardhme të pasigurtë dhe po kërkojnë më shumë informacion mbi
zhvillimet. Ajo vë në dukje se këta persona duan të dinë kur mund të kthehen në
shtëpitë e tyre, dhe nëse nuk mund të kthehen, duan të dinë se ku do të
jetojnë. //ad//