Kuvendit
Kombëtar të republikanëve nuk i munguan sulmet ndaj kandidatit presidencial të
demokratëve Barak Obama. Po ashtu gjatë punimeve u bënë të qarta strategjitë që
do të ndjekin republikanët gjatë fushatës zgjedhore në ditët e ardhshme.
Korrespondenti i Zërit të Ametrikës Xhim Malone njofton nga Shën Poli i
Minesotës.
Gjatë
Kuvendit të Partisë Republikane, tre njerëz ishin në qendër të vëmendjes, i
emëruari i Partisë për president, Xhon Mekein, kandidatja e tij për
nënpresidente, Sarah Pejlin dhe rivali politik i zotit Mekein, Barak Obama.
Ish anëtari i Kongresit nga Teksasi dhe
ish udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Tom Delay, thotë se
pati një arsye për të gjitha sulmet në Kuvend ndaj Barak Obamës.
"Zoti Mekein duhet ta
përkufizojë zotin Obama për atë që ai përfaqëson, një socialist radikal. Vetëm
në se ai e bën një gjë të tillë, mendoj se ai do të ketë mundësinë t'i fitojë
zgjedhjet".
Folësit
republikanë në kuvend e kritikuan senatorin 47-vjeçar Barak Obama, për atë që
ata besojnë se është mungesa e eksperiencës, krahasuar me zotin Mekein, i cili
shërben në Kongres që nga viti 1982. Folësit, po ashtu e portretizuan zotin
Obama, si një nga demokratët më liberalë në Senat.
Republikanët po ashtu shpresojnë, që
edhe komentatorët konservatorë të medias, si Mike Gallagher, do të trumpetojnë
kundërshtimin ndaj Obamës në emisonet e tyre.
"Unë besoj me të vërtetë, se
nuk do të jetë aspak mirë për vendin tonë, në se ai zgjidhet president i
SHBA-së. Mendoj se republikanët duhet ta ngrenë zërin kundër Barak Obamën,
ndërsa nxjerrin në pah konsevatorizimin e Xhon Mekeinit".
Shumë
nga delegatët në kuvendin e republikanëve fishkëllenin, sa herë që përmendej
emri i Barak Obamës në fjalimet e ndryshme. Disa nga delegatët, megjithatë, patën
një ton më të moderuar kur bënin bilancin e ndryshimeve të tyre me senatorin e
Ilinoit. Gale Sayers është delegate republikane
e Teksasit.
"Natyrisht, që mua ai më
pëlqen si njeri. Por, si republikanë dhe konservatorë, ne e dimë, se ndryshimet
mes nesh janë tepër, tepër të qarta. Nuk ka asnjë dyshim lidhur me këtë".
Sigurisht,
që pati një numër të vogël demokratësh, të cilët morën pjesë në kuvendin e republikanëve dhe të cilët e
kundështuan retorikën anti-Obama. Njëri prej tyre, që u shfaq në kuvend, ishte Kryetari i Bashkisë i qytetit pranë,
Mineapolis, demokrati R.T. Rybak.
"Unë ndjehem shumë më mirë kur
përmendet Barak Obama, sepse ai e ka frymëzuar mbarë vendin tonë. Ajo që mund
të bëjnë republikanët, janë vetëm sulmet, ata nuk mundet të frymëzojnë më
askënd. Pra, në se ata duan të bëjnë gjithshka negative që kanë në dorë ta bëjnë,
kjo s'ka problem. Ne kemi një kandidat fenomenal, Barak Obamën dhe ai ka për të
qenë presidenti i ardhshëm i Amerikës".
Analistët
politikë, të cilët morën pjesë në kuvendin e republikanëve, thonë se ekziston
një llogjikë në strategjinë e republikanëve, për ta bërë Barak Obamën një
çështje kryesore të fushatës. Norman Ormstein është ekspert në
Institutin Amerikan Enterprise, në Washington.
"Kemi të bëjmë me zgjedhje,
kur njerëzit kërkojnë ndryshim dhe ata i identifikojnë demokratët si partia e
ndryshimeve. Por Barak Obama në zgjedhjet e këtij viti, ashtu sikurse Ronald
Regan në ato të 1980, duhet të kapërcejnë pengesën e të pranuarit nga njerëzit,
që ata të ndjehen mirë me një president si ai".
Norman
Omstein dhe analistë të tjerë thonë se Barak Obama do ta fitojë garën
presidenciale, ndoshta me një diferencë të ngushtë votash, kryesisht sepse
votuesit duken këtë vit më tepër të shqetësuar për çështjet ekonomike.
Eksperti nga Washingtoni Stuart
Rothenberg thotë se faza tjetër e rëndësishme në zgjedhjet presidenciale do të
jetë kur kandidatët të marrin pjesë në debatet e transmetuara me televizion.
"Tani gara presidenciale duket
se do të jetë tepër e ngushtë. Duket sikur ajo do të varet nga votat e Ohajos,
Kolorados, Virxhinias dhe Miçiganit, si dhe një numër i vogël shtetesh të
tjera, pavaresisht nga vota popullore. Prandaj, një moment hezitimi në një kohë
tepër kritike, kur sytë e të gjithë botës janë drejtuar këtu, mund të jetë
vendimtar".
Në
peridhën nga fundi i shtatorit deri në mesin e tetorit, do të zhvillohen tre
debate presidenciale dhe një tjetër mes dy kandidatëve për nënpresident. //iç//